Adri Nurellari - gazeta-shqip.com
Themeluesit e Europës së bashkuar, Shuman dhe Monet, kanë besuar se vizioni i tyre do të mundësonte një paqe jetëgjatë në Ballkan. Edhe për vendet që dolën nga komunizmi, integrimi europian është hamendësuar se në mënyrë graduale shërben si motivues i ndërtimit dhe konsolidimit të paqes, si dhe i pajtimit ndëretnik. Duke parë tragjedinë ballkanike të viteve ‘90, Brukseli u shtoi tre kritereve anëtarësuese të Kopenhagës sundimi i ligjit, demokracia dhe ekonomia e tregut, edhe kushtin e realizimit të standardeve sa më të larta të të drejtave të minoriteteve. Fatkeqësisht kjo formulë me sa duket nuk ka funksionuar siç duhet me disa vende ballkanike, të cilat edhe pse i afrohen anëtarësimit në BE, nuk kanë hequr dorë nga nëpërkëmbja e të drejtave të minoriteteve dhe nuk janë angazhuar për një fqinjësi me të vërtetë të mirë. Përkundrazi, avancimin në procesin e integrimit në kushtet kur nuk kanë dëshmuar respekt të theksuar për minoritetet apo fqinjësinë e mirë, këto vende e kanë trajtuar si një dritë jeshile prej Brukselit që të shpërfillin akoma më tej marrëdhëniet me etnitë e tjera.
Kështu, Maqedonia, edhe pse vend kandidat prej vitit 2005, nuk humbet rast për të nëpërkëmbur pakicën domethënëse shqiptare. Kjo është vënë re me nisma të shumta si projektligji i natalitetit, enciklopedia e mbushur me rrena e fyerje me projektin Shkupi 2014 etj. Serbia është në të njëjtën linjë, edhe pse ka avancuar ndjeshëm në procesin e integrimit europian vijojnë të diskriminojnë shqiptarët e luginës së Preshevës e të dëshmojnë shovinizëm e agresivitet nëpërmjet sabotimit që i bëjnë sovranitetit dhe sundimit të ligjit në Kosovë strukturat paralele që Beogradi ka instaluar brenda shtetit kosovar. Fatkeqësisht e njëjta gjë po vihet re edhe nga shteti malazez, i cili tani që ia hodhi lumit me marrjen e statusit kandidat e ka hequr maskën e "engjëllit" që ka mbajtur për hir të imazhit që ka dashur të përcjellë në Bruksel, dhe ka dalë në lëkurën e vjetër duke ndërmarrë një sërë nismash që dëmtojnë rëndë gjendjen e pakicës shqiptare malazeze. Në referendumin për pavarësinë e Malit të Zi shqiptarët luajtën një rol kyç, pasi bashkësia ndërkombëtare e bëri të qartë që do ta pranonin pavarësinë malazeze vetëm nëse ajo siguronte mbi 55% të votave. Rezultati final ishte 55.5 dhe këtu vota e shqiptarëve ishte kyç për të siguruar një shumicë bindëse për perëndimin dhe për të mundësuar deklarimin dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë. Jo vetëm që shqiptarët u ballafaquan me mosmirënjohje dhe nuk u shpërblyen për kontributin e tyre, por pësuan mandej një përkeqësim institucional të gjendjes së tyre.
Konkretisht, Mali i Zi ka bërë vitin e kaluar një reformë zgjedhore, e cila u ka hequr shqiptarëve të drejtat e fituara më parë duke eliminuar kuotën prej pesë deputetësh që kanë pasur të garantuar dhe me sistemin e ri mezi mund të sigurojnë tre deputetë duke e bërë fare të papërfillshme përfaqësinë e pakicës shqiptare në legjislativ. Në planin e ri hapësinor, që është miratuar nga qeveria e Podgoricës, një pjesë e mirë e pronave të shqiptarëve të Plavës e Gucisë është shpallur park kombëtar, duke ua pamundësuar atyre që të nxjerrin të ardhura prej përdorimit tradicional të tokës së tyre. Po ashtu kriporja e Ulqinit, edhe pse dikur e mbrojtur si monument natyror, është parashikuar të shndërrohet në truall të stërmadh ndërtimi që jo vetëm do të shkatërrojë ambientin, por edhe do të ndryshojë raportin demografik të popullsisë të kësaj komune, duke u kthyer në një lloj kolonizimi që do e zvogëlojë peshën specifike të shqiptarëve aty. Gjithashtu censusi i fundit u organizua në mënyrë të stisur që të ulej medoemos përqindja e shqiptarëve, duke iu mohuar deklarimi kombëtar e fetar diasporës shqiptare, si dhe duke shkaktuar parregullsi në proces që synonin që të dekurajonin deklarimin e shqiptarëve si të tillë. Për rrjedhojë, nga mbi 7% shqiptarët në censusin e vitit të kaluar dolën më pak se 5%.
Së fundmi u miratua edhe ligji për rendin dhe qetësinë, i cili do të pengojë që shqiptarët të përdorin hapur flamurin kombëtar shqiptar, pasi ky ligj ndalon përdorimin e simboleve të shteteve të tjera. Kjo është padyshim një gjë shumë absurde, sepse pothuajse të gjitha shtetet e Europës janë shtet-kombe, pra shumica e shteteve i mbajnë simbolet kombëtare edhe si simbole shtetërore dhe për rrjedhojë edhe minoritetet që këto kombe kanë në vendet fqinje përdorin si simbole kombëtare po ato simbole që janë simbole të shtetit amë. Nëse ky ligj do të ishte në mbarë Europën vetëm një grusht minoritetesh, do të mund të mbanin hapur simbole kombëtare, pasi shumica e minoriteteve europiane i kanë simbolet kombëtare të njëjta me ato të shteteve ku përbëjnë shumicën.
Në përgjithësi shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë kujtohen për bashkëkombësit në Mal të Zi në periudhën e gjallërisë së pushimeve verore dhe e kanë përshtypjen për ta shumë më të mirë se realiteti. Në të vërtetë, si pasojë e diskriminimit të theksuar sot, ka pothuaj njësoj shqiptarë të Malit të Zi në emigracion sesa që banojnë në vendlindje dhe mbi gjysma e pinjollëve të shqiptarëve të para një shekulli sot janë asimiluar e deklarohen boshnjakë apo myslimanac. Asimilimi dhe emigrimi masiv vijon akoma sot dhe këto masat e fundit kanë shërbyer si katalizator për të përshpejtuar këto procese.
E gjitha kjo situatë dhe tolerancë e Brukselit ndaj veprimeve që përkeqësojnë gjendjen e pakicave shqiptare në vende të ndryshme të Ballkanit lë të mendohet se politika e jashtme e vendeve të BE-së ka standarde të dyfishta.
Nga njëra anë Brukseli i bën presion Prishtinës që nëpërmjet të ashtuquajturave negociata t’u japë edhe më shumë të drejta se ç’kanë prej pakos së Ahtisarit serbëve të veriut e nga ana tjetër, s’ka fijen e ndjeshmërisë për përkeqësimin e gjendjes së pakicave shqiptare në tri shtetet sllave ku ata banojnë. Ky standard i dyfishtë në kurriz të shqiptarëve mund të vijë si pasojë e miqësive historike me jugosllavët, namit të keq që kemi marrë në dekadat e fundit, faktit që ne kemi prioritet miqësinë me SHBA-në ose që kemi shumicën e kombit mysliman, por gjithsesi është e pandershme dhe e papranueshme. Nëse ish-fuqitë e mëdha europiane nuk aplikojnë atë që ata vetë predikojnë, pra nuk e mbajnë fjalën që japin, atëherë edhe shqiptarët nuk kanë më detyrim që të ndjekin me përulje naive zotimet që kanë marrë ndaj komunitetit ndërkombëtar. Nëse Bashkimi Europian e bën të qartë që shpërblen guximtarët ose më saktë ata që janë të aftë të shkaktojnë më shumë rrëmujë rajonale, siç bën Beogradi me serbët e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës, atëherë edhe shqiptarët duhet të koordinohen nga Tirana e të kenë një qasje më proaktive që t’i përshtatet më mirë situatës së re që po përvijohet.
5 comments:
Shqiptaret ne Mal te Zi I ka nxan gjumi I rend.
Ëndrrat e këqija kanë filluar tash 40 vjet per Shqiptaret e Malit te Zi ...
... ata mund të vdesin në gjumë
Yes, this is what happens when you befriend Slavs; historically Albanians in Mont have been very friendly towards Montenegrins (and to some point vice-versa), but now they are paying the price.
Montenegrin have been able to screw Albanians up to 2011; now, finally, Albanians have noticed their unfair, unlawful and barbaric tactics.... and I believe, malesort are ready to resist/fight their brutal treatment! We will see where this new movement/trend takes us.
Boycott Montenegro Now. True Albanians click here
Post a Comment