Tuesday, November 01, 2011

Shqiperia Etnike? Marrëveshja Shqipëri-Kosovë rindez dyshimet e vjetra


Një marrëveshje për të bashkuar shërbimet konsullore jashtë vendeve, që do të pasohet nga veprime të ngjashme në të gjitha sektorët e tjerë, është një shqetësim për disa rreth agresionit të mundshëm territorial shqiptar.

Një marrëveshje për të shkrirë shërbimet shqiptare e kosovare konsullore jashtë vendeve ka ndezur shqetësime në pjesë të Ballkanit se marrëveshja është një hap drejt realizimit të "Shqipërisë së Madhe".

Marrëveshja u miratua nga qeveria e Kryeministrit shqiptar Sali Berisha më 20 tetor. Kjo do të përgjysmojë kostot konsullore të të dy vendeve, tha qeveria.

"Shqiptarët duhet të ndjehen njëlloj në Tiranë dhe në Prishtinë," tha Berisha, duke bërë thirrje gjithashtu për marrëveshje të ngjashme në fushat e doganave e taksave si dhe në sektorët arsimorë, shoqërorë, kulturorë e mjedisorë "dhe gjithshka tjetër".

"Duhet të forcojmë bashkëpunimin brenda të njëjtiti kuadër e praktikave ligjore, me qëllim që të zvogëojmë pengesat burokratike mes shtetasve të Shqipërisë e të Kosovës," tha ai.

Analisti kosovar Seb Bytyçi që drejton Institutin e Politikës Ballkanike me qendër në Prishtinë, u bëri jehonë argumenteve të Tiranës.

"Kosova dhe Shqipëria janë vende të vogla pa burime për të patur konsullata gjithandej," tha ai për SETimes. "Kjo marrëveshje na lejon të sigurojmë shërbime më të mira për shtetasit tanë. Marrëveshje të ngjashme janë të zakonshme edhe mes vendeve të pasura që ende ndjejnë nevojën për të shkurtuar kostot."

Ministritë e jashtme të Maqedonisë -- që nënshkruan një marrëveshje për përfaqësim të përbashkët konsullor me Slloveninë -- dhe të Malit të Zi thanë për SETimes se respektojnë të drejtën e çdo vendi për të kryer çështjet e brendshme e të jashtme të tij.

"Mirëpresim çdo nismë që synon përmirësimin e bashkëpunimit rajonal," tha ministria e jashtme maqedonase, por shtoi se "nuk do të komentojë mbi deklaratat e marrëdhëniet mes Kosovës e Shqipërisë".

"Nuk shoh se pse duhet t'a shqetësojë kjo Malin e Zi," tha për SETimes Zëvendës/Ministri i Jashtëm Ivan Miliç.

Ekpserti maqedonas i diplomacisë Lazar Lazarov këshilloi se ka më shumë në këtë lloj marrëveshjesh sesa bie në sy.

"Në fazën e parë keni afrimin, doganat e ekonominë e përbashkët, por faza e dytë në këtë prosces është zakonisht unifikimi," tha Lazarovi për SETimes. "Do të jetë e vështirë për Kosovën që të mbajë shtetin e saj në këto rrethana. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova duket se punojnë mbi projektin e 'Shqipërisë së Madhe,' të përmendur së pari më 1878."

Lazarovi iu referua planit të nxitur nga organizata politike shqiptare Lidhja e Prizrenit, që kishte për qëllim të unifikonte në një shtet shqiptarët e përhapur anembanë Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedeonisë e Greqisë në shekullin e 19-të.

Kosova u zotua në deklaratën e saj të pavarësisë më 2008 për respekt të plotë për integritetin territorial të fqinjëve të saj dhe për kufijtë e caktuar në planin e Marti Ahtisaarit për një zgjidhje të çështjes së statusit të Kosovës, të miratuar nga OKB.

Jan Bankroft, bashkë-themelues i TransConflict me qendër në Beograd, argumenton se Plani Ahtisaari pohon qartë se Kosova nuk mund të kërkojë të bashkohet me ndonjë shtet tjetër, kështu që synimi i Berishës duhet të trajtohet me mjaft shqetësim.

"Nëse qeveria në Prishtinë nuk i përmbahet këtij elementi të rëndësishëm të Planit Ahtisaari, atëhere është vështirë të presësh se do të mbajë kushtet e tjera mbrojtëse të siguruara, që do të ushqejnë më tej mosbesimin mes serbëve të Kosovës e popullsive të tjera jo-shqiptare. Prandaj BE, në veçanti, duhet të jetë më e hapur në kritikën e saj ndaj hapave të tillë," tha Bankroft për SETimes.

Ai shtoi se marrëveshja i shtohet shqetësimeve ekzistuese anembanë rajonit lidhur me pohimin e identitetit etno-kombëtar shqiptar. "[Ajo] ka shtyrë, pjesërisht, bojkotin e rregjistrimit në Serbinë jugore, braktisjen e rregjistrimit të Maqedonisë e tensionet brenda Shqipërisë lidhur me pakicat etnike, që mund të provokojë mosbesim të mëtejshëm në vendet fqinjë si Mali i Zi e Greqia."

Duke këmbëngulur se Kosova është ende një protektorat i OKB-së, zëdhënësi i qeverisë serbe Milivoje Mihajloviç tha në komentet për SETimes se Beogradi nuk mund të mbështeste asnjë nismë që nuk është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas Bytyçit, marrëveshja konsullore mund t'i frynte "paranojës rreth 'Shqipërisë së Madhe'", veçanërisht mes politikanëve ekstremë në vendet fqinje me Shqipërinë e Kosovën".

"Lidhur me hollësitë e tjera, mund të presim më shumë integrim si një rezultat i rritjes në bashkëpunimin tregtar e ekonomik," tha ai, duke shtuar se rruga ndaj bashkëpunimit më të fortë mes Kosovës e Shqipërisë ka të ngjarë që të jetë e vështirë.

"Në të njëjtën kohë, për shkak të mungesës së përparimit në integrimin në BE, presioni politik e shoqëror për më shumë integrim mes të dy vendeve, si dhe të tjerëve si Maqedonia e Mali i Zi, do të rritet," tha Bytyçi.

Në këtë artikull kontribuan Biljana Lajmanovska në Shkup, Nedjeljko Rudoviç në Podgoricë, Igor Jovaniçeviç në Beograd dhe Muhamet Brajshori në Prishtinë.

2 comments:

Anonymous said...

This is important to know ...

"Albanian ethno-national identity has motivated, in part, the boycott of the census in south Serbia, the abandonment of Macedonia's census and tensions within Albania over the number of ethnic minorities, likely to provoke further mistrust in neighbouring countries such as Montenegro and Greece."

Anonymous said...

E baft Zoti