Friday, January 22, 2010

Partitë e opozitës në Mal të Zi bëjnë bojkot shkel e shko


Nga Brian Salmi për Southeast European Times në Podgoricë -- 21/01/10

Politikanët e opozitës në Mal të Zi prej kohësh janë ankuar në lidhje me zgjedhjet e vendit, duke i quajtur ato të paligjshme, jodemokratike dhe nën ndikimin e krimit të organizuar. Si protestë, tre prej partive më të mëdha të opozitës njoftuan se nuk do të paraqisnin kandidatë në një zgjedhje bashkiake më 6 dhjetor në Mojkovaç.

Duke shfrytëzuar këtë, Partia Socialiste e Popullit vendosi të kandidojë pasi sinjalizoi se do të bashkohej me bojkotin. Ajo morri 13 prej 31 vendeve dhe pjesa tjetër shkoi tek Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në pushtet. Pjesëmarrja ishte 70%.

Veprimi thekson më tej problemet me të cilat ndeshen partitë e opozitës. Sipas profesorit të shkencës politike të Universitetit të Malit të Zi Millo Beçiç partite kanë fonde të pamjaftueshme dhe janë të inatosura me paaftësinë e tyre për të sfiduar me sukses DPS-në.

Opozita vendosi të bojkotojë zgjedhjet bashkiake -- pasi kishte kërcënuar të qëndronte larg nga parlamenti -- kur zgjedhjet e përgjithshme më 29 mars u vërtetua se ishin të pafrytshme, tha Beçiç.

"Ata u përpoqën [të bojkotonin parlamentin] tre herë më parë dhe askush nuk u kushtoi vëmendje. Dhe ata nuk kanë asnjë ligjshmëri tek njerëzit për t'u përpjekur që t'a bëjnë përsëri atë, kështu që dolën me [bojkotimin e zgjedhjeve bashkiake]," tha Beçiç. "Dhe më pas ndryshuan mendje dhe u grindën mes vetvetes."

Ai thotë se arsyeja e vërtetë është se partitë e opozitës janë kaq të inatosura me paaftësinë e tyre për të sfiduar DPS-në sa që kanë hequr dorë."Nuk kanë dëshirë për të kandiduar në lojë," tha ai. "Nuk kanë para; nuk kanë interes të marrin pjesë."

Udhëheqësi i SNP Sërxhan Miliç ka thënë se partia e tij do të marrë pjesë në një zgjedhje bashkiake në Cetinjë, e cila është planifikuar tani për më 7 shkurt për shkak të gabimeve administrative. Partitë e tjera të opozitës thonë se do të vazhdojnë bojkotin e tyre, pavarësisht nga kritikat dhe madje edhe talljet në median vendase.

Përpjekjet për të krijuar një fort të bashkuar për t'u ndeshur me DPS nuk kanë shkuar gjekundi. Një prej partive bojkotuese, Lëvizja për Ndryshim (PfP), u përpoq të drejtonte një aleancë në nëntor, duke shpresuar të galvanizonte partitë politike, veprimtarët, intelektualët dhe udhëheqësit e OJQ-ve në një flamur të vetëm.

Iniciativa dështoi kur partitë e tjera refuzuan të marrin pjesë.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com

No comments: