Saturday, January 16, 2010

LARGIMI NGA E VËRTETA: AKSIONI AFIRMATIV I PAKICAVE


14 JANAR 2010, TUZ, MALESIA E MADHE (Koha Javore)

Dr. Sc. iur. Angjell Gojçaj

Diskutimet rreth Ligjit të ri zgjedhor në Mal të Zi po nxjerrin në shesh përpjekjet e qeverisë, si edhe të opozitës për të gjetur një formulë e cila do të degradonte pozitën e pakicave etnike në Mal të Zi, ku një ndër kafshatat e pakapërdishme janë të drejtat e arritura të shqiptarëve. Metoda që po aplikohet nga qeveria është që me anë të diskutimeve dhe kompromisit gjoja “demokratik” të arrihet një koncezus me opozitën, e cila për fat të keq vizionin e saj politik për shtetin e ri të Malit të Zi e ka të padefinuar. Këtu aktor përkrahës janë edhe disa pakica të kërcënuara dhe një fraksion i politikës shqiptare në Mal të Zi, e cila është e kushtëzuar nga interesat dhe privilegjet e punësimit për bazën elektorale.

Që ligji zgjedhor paraqet një sfidë për Malin e Zi, e vërteton edhe vet fakti se nuk është hedhur në votim, pa u testuar opinioni me deklarata të koordinuara, prej pozitave diametralisht të kundërta. Kështu kohëve të fundit kemi vleresime, se gjoja në Unionin Evropian nuk ka pakica nacionale, apo akcioni afirmativ është i panevojshëm.

Këto konstatime, për të cilat nuk mund të gjykojmë nëse janë bërë nga niveli politikë apo shkencor, por pa marrë parasysh se prej cilit nivel, ato janë të gabuara. Secili shkenctar-politik duhet të posedoj njohuri, për të cilat ne nuk dyshojmë se i kanë, por pozita e tyre politike i ka shtyrë që të mos e pranojnë faktin se; në Unionin Evropian ka pakica nacionale, dhe se Mali i Zi ka ratifikuar dhe nënshkruar një numër të konsideruar të marrveshjeve ndërkombëtare, të cilat janë bërë edhe pjesë e sistemit juridik të Malit të Zi, ku para Malit të Zi, i kanë aprovuar edhe shtetet e Unioni Evropian, për të cilat pohohet se nuk kanë pakica nacionale.

Pakicat nacionale nuk janë pakica të religjionit apo të migrimit, të cilat ekzistojnë në shumë shtete multikulturore. Përkundrazi, pakicat nacionale janë grupe specifike të popujve autoktonë. Ky termin përfshinë statutin e pakicave, i cili është rezultat i inkorporimit në një sistem më të gjërë politikë, apo të ndryshimit të kufijve nga konfliket e mëdhaja nga më të vjetrat e deri te ato moderne, siç kemi rastin e luftës së I-rë dhe të II-të botërore, apo shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe Republikës Jugosllave. Pakicat nacionale autoktone në Evropë, në përbërje paraqesin popullatën, e cila “papritmas e ka gjetur vehten në anën e gabuar të kufirit”. Këtu mund të përmendim Hungarezët në Sllovaki, Rumuni,Slloveni, Srbi dhe Ukrainë; Turqit në Bullgari dhe Ballkan; Shqiptarët në Greqi, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi; Moravët në Çeki; Austrijakët në Italinë Veriore; Italijanët në Austrinë Jugore dhe Slloveni; Gjermanët në Danimarkën e Jugut; Danezët në Gjermaninë Veriore; Rusët në shtetet Balltike, e kështu me rrallë.

Pastaj, kriterjumet teritoriale për përcaktimin e këtyre grupeve janë me rëndësi të veçantë. Shtetet e Evropës Perendimore në aktet më të larta juridike e kanë masa të qarta te cilat e definojnë pozitën e pakicave nacionale, siç është rasti i Sllovenisë. Përvoja e shteteve të Evropës Përendimore tregon se pakicat nacionale autoktone kanë të drejtë në përfaqësimin autentik pa cenzus në qeverisjen lokale dhe në parlamentet republikane, të drejt në votën e dyfishtë, krijimin e komunave, rretheve dhe rajoneve në teritoret ku jetojnë pa kushtëzime dhe të pa kufizuar. Gjithashtu, pakicat nacionale autoktone kanë Këshillat e veta nacionale dhe fondet për zhvillim. Prej çfarë u tha më sipër, sikur pakicave që jetojnë në Mal të Zi tu jipeshin të drejtat e njëjta siç i kanë Suedezët në Finlandë, të gjithë ne do të ishim të kënaqur.

Kur flitet për Malin e Zi si shtet qytetar, qeveria do ti bënte një shërbim të madhë demokracisë, sikur shteti të funksiononte me të vërtet si i tillë. Por besojmë që të gjithë e dimë se jetojmë në një shtet ku secili që mundohet për vlerat e civilizimit, por që del jashtë rrethit familjar, fisnor, fesë, kishës apo kombit, atëher etiketohet si “tradhëtar” i grupeve perkatëse.

Arritja e demokracisë shënon një hap para në zgjedhjen e çështjes së pakicave, por demokracia nuk e zgjedh çështjen e pakicave.

Në të drejtën ndërkombëtare për grupet e rrezikuara, siç janë refugjatët, gratë, racat dhe pakicat nacionale janë ndërtuar rregulla të posaçme për mbrojtjen e tyre. Koncepti modern i mbrojtjes së pakicave është paraqitur pikërisht në Ballkan, në Kongresin e Berlinit. Kurse sot për fat të keq, mund të them se Ballkanit një mbrojtje e tillë do ti nevojitet edhe për një kohë të gjatë.

Me insistimin e disa “politikanëve- shkencëtar” të pozitës në pushtet, dhe me përkrahjen e shumicës në opozitë, se nuk është i nevojshëm akcioni afirmativ, mendoj se përsëri gabohet. Në bazë të cilave të dhëna kanë arritur në këtë përfundim? Akcioni afirmativ dhe mënyra e përfaqësimit nuk janë të nevojshëme në rastin kur pakicat nacionale janë të barabarta në Mal të Zi. Por ne e dimë që sot në Gjykatat e Mal të Zi nuk është asnjë gjykatës shqiptar, pastaj sa është punësimi i tyre në organet e shtetit që numron mbi 50000 (Pesëdhjet mijë) të punësuar? Më pak se 0.3%. Pastaj sa është papunësia e pakicës nacionale shqiptare? Përgjithësisht pesë herë më e madhe se papunësia mesatare në Mal të Zi. A thua vallë, në bazë të këtyre kushteve duhet të hiqet akcioni afirmativ dhe mënyra e përfaqësimit?

Pakicat duhen pruar në atë shkallë zhvillimi, siç ka thënë ish-kryetari i SHBA-së Xhonson, që me ndihma të mënyrave të ndryshme ata duhet të jenë të barabart si qytetarët tjerë, si në atletikë, kur vrapuesit fillojnë vrapimin në stazë mbas pregaditjeve të njëjta. Kur për ato përgaditje janë shpenzuar mjete të njëjta.

Me pohimin e tyre se pakicat duhet të gëzojnë vetëm mbrojtjen kulturore, por jo edhe ate politike, bien ndesh me mënyrën e zgjedhjes së çështjes së pakicave në botë, e posaçërisht në Unionin Evropian.

Çështja e pakicave zgjidhet në mënyra të ndryshme: përmes transferimit, asimilimit, gjenocidit (për të cilin kemi menduar se i takon së kaluarës, por fatëkeqësisht është paraqitur gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ), por edhe me rregulla të mbrendëshme , apo ndërkombëtare, në mes të cilave vend të rëndësishëm nxenë edhe e drejta politike, si dhe shkallë të ndryshme të autonomisë. Masat e para më të rëndësishme për mbrojtjen e pakicave nacionale janë paraqitur në nenin 27 të Paktit për të drejtat qytetare dhe politike, e jo në Paktin për drejtat ekonomike dhe kulturore.

Në një shtet ku udhëhiqet politika fisnore, e të flitet për të hequr të drejtat e pakicave, do të thotë largim nga e vërteta, dhe tentim “i zgjidhjes së përhershëme të çështjes së pakicave”, mendoj në pakicat e vërteta në Mal të Zi.

No comments: