Kosova qe tetë vjet qeveriset prej Institucioneve të Përkohshme të Vetë-Qeverisjes së UNMIK-ut, që tashmë janë bërë të përhershme. Falë këtyre institucioneve vetëm një gjë ka qenë e sigurt për qytetarin e Kosovës: teposhtëzja e jetës së tij, përkeqësimi i mirëqenies, mashtrimi e poshtërimi. Meqë këto institucione janë të UNMIK-ut, por jo të popullit, degradimi i jetës së qytetarit nuk është devijim a mosplotësim i funksionit të këtyre institucioneve, por pikërisht realizimi i mandatit të vërtetë që ato kanë. Mandat për t’ia lehtësuar punën UNMIK-ut, mandat për ta legjitimuar praninë e këtij regjimi antidemokratik, por kurrsesi mandat për zhvillimin ekonomik të Kosovës si dhe për realizimin e interesave e qytetarëve. Prej partive politike aktuale këto institucione janë shfrytëzuar për pasurim personal, për interesat e ngushta të udheheqësive partiake, për manipulime tenderësh, për punësimin e familjarëve e kushërinjve dhe për asgjë tjetër. Deri sot janë mbajtur katër palë zgjedhje për kësi lloj institucionesh.
UNMIK-u dhe partitë politike edhe pas gjithë kësaj gjendjeje të padurueshme politike e ekonomike që vetë e kanë krijuar, edhe pas fyerjeve të panumërta që ia kanë bërë qytetarit të Kosovës, paturpësisht po e ftojnë atë që për herë të pestë të votojë për po të njëjtat institucione, që me shumë sukses na kanë çuar drejt humnerës shoqërore, politike dhe ekonomike. Prandaj, ne jemi kundër këtyre zgjedhjeve, sepse këto janë zgjedhje për t’ua zgjatur jetën atyre që qyetarit po ia shkurojnë jetën. Ne jemi kundër këtyre zgjedhjeve sepse nëpërmjet tyre nuk do të përmirësohet jeta e qytetarit, por jeta e një grushti politikanësh mashtrues; ne jemi kundër këtyre zgjedhjeve sepse me to nuk do të rritet pensioni fyes i plakut, por xhepi i servilëve të UNMIK-ut; ne jemi kundër këtyre zgjedhjeve sepse këto zgjedhje me siguri nuk do të ndërtojnë shtëpi për invalidët dhe veteranët e luftës, por sigurisht që do të ngrisin pallatet shumëkatshe të politikanëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është kundër zgjedhjeve si element i patjetërsueshëm i demokracisë, por jemi kundër KËTYRE zgjedhjeve, sepse, në kohën kur popullit i mohohet liria dhe vetëvendosja, këto janë zgjedhje pa demokraci. Zgjedhjet pa demokraci, e të cilat nuk janë zgjedhje për ta sjellur demokracinë, por për ta vazhduar gjendjen ekzistuese, janë zgjedhje antidemokratike. Ne thërrasim që, si të tilla, ato të bojkotohen. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është kundër institucioneve si element i domosdoshëm i organizimit shoqëror e politik, por ne jemi kundër KËTYRE institucioneve që po na e mohojnë vullnetin, po na i shkelin interesat , po na e shkatërojnë të tashmen, prandaj po na e rrezikojnë të ardhmen.
Por jo vetëm kaq: të kesh votuar në këto zgjedhje do të thotë të kesh votuar për thellimin e krizës ekzistuese; të jesh pajtuar me përdhosjen e dinjitetit; të mendosh që statusi i Kosovës nuk i takon popullit, por Grupit të Unitetit, UNMIK-u dhe Serbisë; ta kesh miratuar copëtimin e Kosovës nëpërmjet decentralizimit dhe të jesh i një mendjeje që trashëgimia kulturore dhe historike mesjetare e Kosovës të quhet kulturë serbe, ashtu qysh e quan “eksterritorialiteti“ në Pakon e Ahtisaarit. Meqë institucionet politike i ka ndërtuar dhe i kontrollon UNMIK-u e jo populli i Kosovës, të votosh për to do të thotë të kesh votuar për UNMIK-un.
Zgjedhjet e nëntorit do të jenë si të gjitha të mëparshmet. Premtimet do të jenë po të njëjtat sepse ato nuk janë përmbushur. Zgjedhjet në Kosovë janë të reduktueshme në përsëritje premtimesh. Vazhdimësia e jetës politike të mashtruesve e gënjeshtarëve mund të ekzistojë vetëm si premtim. Sërish do të na e premtojnë ata pavarësinë në fund te vitit 2007, ashtu siç na e patën pemtuar atë në qershor të vitit 2006. Në fund të vitit do të na thonë që pavarësia vjen gjatë vitit 2008 dhe do të vazhdojnë kështu deri në zgjedhjet e ardhshme. Natyrisht, do të vazhdojnë po i lejuam që të vazhdojnë.
Ne jemi kundër zgjedhjeve të tilla, pra kundër këtij kori të zymtë të përsëritjes së mashtrimeve, sepse jemi për referendum. Referendum për liri. Referendum në të cilin populli i Kosovës lirshëm do ta përcaktonte statusin politik të vendit dhe drejtimin e tij të zhvillimit. Vetëvendosja e popullit që do të materializohej nëpërmjet referendumit është e vetmja kontratë e drejtë ndërmjet institucioneve politike dhe popullit sovran si garanci fundamentale e demokracisë. Institucionet që do të dilnin prej këtij referendumi e që do ta kishin burimin te sovraniteti i popullit, do të themelonin kushtetutën e Kosovës që do ta mishëronte vullnetin e popullit dhe historinë e tij. Do të krijoheshin institucionet shtetërore të mbrojtjes së këtij vullneti, prej të cilave më e para ushtria e Kosovës që do ta mbronte lirinë dhe sovranitetin e vendit.
Në mënyrë që qytetari i Kosovës të vetëdijësohet për thelbin dhe mashtrimin që po i përgatitet nëpërmjet zgjedhjeve, Lëvizja VETËVENDOSJE! fillon fushatën antizgjedhore.
1 comment:
urime .nice blog .. full information. kip it up! kaloni gezuar! bye!
Post a Comment