Saturday, August 25, 2007

Çka po ndodh? Kah po na çojnë? Çka duhet të bëjmë?



Shkruar nga Albin Kurti
Friday, 24 August 2007

Aq shumë koncesione ka bërë Grupi Negociator (GN) i Kosovës deri sa ka arritur te Pakoja e Ahtisaarit, saqë tash natyrisht se do të kërkohen koncesione të reja. Duke e parë fleksibilitetin e negociatorëve kosovar Serbia, Rusia, por edhe jo pak vende evropiane kërkuan negociata të reja. Serbia bile kërkonte negociata të drejtpërdrejta, duke pasur parasysh përfitimin që kishte nga kësolloj negociatash në Vjenë dhe duke qenë e vetëdijshme për inferioritetin e papërmirësueshëm të negociatorëve nga Kosova. Ata realisht ngadhënjyen në këtë betejë të rëndësishme. Tash, e gjithë ajo që quhet bashkësi ndërkombëtare është për negociata të reja dhe ato porsa kanë filluar. Madje është përcaktuar edhe një afat prej 120 ditëve për kohëzgjatjen e këtyre negociatave që për fillim do të kenë formën e diplomacisë fluturuese. Me këto 120 ditë duan ta krijojnë përshtypjen se ka zhvillime, se megjithatë po punohet, se sidoqoftë ka angazhime dhe përpjekje, andaj njerëzit duhet të (vazhdojnë të) presin.
.
Pra, ata do të shtiren se kinse po bëjnë diçka në mënyrë që të mund të na thonë që ne, populli i Kosovës, të mos bëjmë asgjë. Që të mund ta kërkojnë pritjen dhe durimin, qetësinë dhe heshtjen e qytetarëve të Kosovës, atyre medoemos u duhej të shpiknin ndërmarrjen e ardhshme, farsën e radhës. Pikërisht kështu erdhi ky propozimi për 120 ditë, i cili jo vetëm që synon t’i paralizojë qytetarët por nuk i lejon ata as të presin lirisht. Krejt çfarë duhet të bëjmë sipas tyre është të presim, mirëpo, jo të edhe presim ashtu siç duam vetë ne. Ndonëse realisht s’mund të themi gjë për mënyrën e pritjes përderisa ajo asnjëherë s’është alternativë kundrejt asnjë konteksti, edhe në pritjen e ‘sugjeruar’ (duan të) intervenojnë. U thuhej qytetarëve që duhet të presin fillimin e këtyre 120 ditëve. Tash u thuhet të presin skadimin e 120 ditëve. Më pas, sigurisht, do të kalojnë te premtimet e reja për të rifilluar me negociata të drejtpërdrejta mu ashtu siç ka kërkuar Serbia. S’ka se si të jetë ndryshe. Sepse, qysh tash dihet se me përfundimin e atyre 120 ditëve nuk mbaron ama bash asgjë. Rrjedhimisht as pritja.
.
Zgjedhjet që po planifikohen tash, edhe njëherë për institucione pa sovranitet, janë të kota. Manipulimi me datën dhe mënyrën e zgjedhjeve – si një aspekt themelor i demokracisë (atje larg diku në botë) – i bën ato kundërproduktive. Vetë shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, si një guvernator i kolonisë që është, tha se e sheh mundësinë e zgjedhjeve të reja nga prizmi i ndikimit në procesin e statusit. Ja se çfarë është kjo demokracia pa vetëvendosje të cilën na e rrëfejnë dhe sjellin nga lart. Zgjedhjet do t’i mbajnë në nëntor të këtij viti nëse vlerësojnë që në shtator ka potencial për shpërthim të situatës. Zgjedhjet do t’i shtyjnë për pranverë nëse vlerësojnë se atëherë do të ketë mundësi shpërthimi, me ç’rast pakënaqësia kanalizohet në fushata parazgjedhore. Shpërthimin, për të cilin do të flasim më vonë, këta sigurisht nuk e duan tash. Shpërthimin e duan vetëm pas këtyre 120 ditëve dhe atëherë kur të jemi në prag të konferencës së re ndërkombëtare për Kosovën për marrëveshje të re me Serbinë të arritur nga ky Grupi Negociator i Kosovës.
.
Ndërkohë, Grupi Negociator nuk do të ketë as mandat e as detyrë të re. Negociatorët kosovar do të orvaten që t’i normalizojnë gjërat jonormale, që të jashtëzakonshmen ta bëjnë të zakonshme. Kush në këmbë e kush me duar, ata qysh tash kanë nisur fushatën që të pranohen edhe negociatat e reja. Më vonë do ta bëjnë edhe fushatën tjetër për pranimin e marrëveshjes me Serbinë, e cila (do të thonë ata) është në ujdi me bashkësinë ndërkombëtare, dhe (sërish do të thonë ata) e shpie Kosovën (edhe) një hap drejt pavarësisë. Ngjashëm, para tetë vjetëve e gjysmë, këta politikanë u patën ‘konsultuar’ me popullin për dokumentin e Rambujesë të cilin, siç e mbajmë mend mirë, e shitën në emër të ‘referendumit’ që kinse do të organizohej pas tre vjetëve. Natyrisht, referendum nuk pati, ai nuk u mbajt asnjëherë. Thuhej se do të merret për bazë ‘vullneti i popullit’ mirëpo mendohej për popullin e tërë Jugosllavisë meqë ne atje as që konsideroheshim popull. Burimet legale e juridike të problemeve të sotme vijnë nga defektet dhe dëmet e shumta të Rambujesë. Është e domosdoshme që të theksohen gabimet e djeshme për të kuptuar hallet e sotme. Me këtë rast, do të kufizohem duke i përmendur vetëm edhe 13 të këqija të tjera të Rambujesë që na kanë degdisur në tatëpjetën ku po rrokullisemi sot: me shkuarjen në Rambuje bëhet shkelja e betimit të ushtarit të UÇK-së por madje edhe e referendumit të vitit 1991; bëhet degradimi i luftës çlirimtare në konflikt të armatosur; Jugosllavia, të cilën nuk e pranonte atëbotë as vetë bashkësia ndërkombëtare, bëhet shtet i shqiptarëve përmes katër nënshkruesve shqiptar që pranuan integritetin territorial dhe sovranitetin e Jugosllavisë; bëhet kategorizimi i popullit shqiptar në Kosovë si bashkësi nacionale sikurse edhe serbët në Kosovë që më së shumti ishin vetëm 8%; vuloset mungesa e sigurimit shtetëror për Kosovën duke paraparë vetëm sigurimin publik për të; bëhet trajtimi i Kosovës si pjesë e Serbisë, përveçse e Jugosllavisë, me ç’rast Kosova duhej t’i dërgonte 20 deputetë në Kuvendin e Serbisë; nuk përmendet askund UÇK-ja – ajo konsiderohet në grupin e formacioneve të tjera; nënshkruhet çarmatosja e UÇK-së; bëhet defaktorizimi i plotë i Kosovës dhe natyrisht se pastaj përfaqësuesit e saj nuk i pyet askush për marrëveshjen në Kumanovë e as për Rezolutën 1244; u jipet pushtet i madh komunave gjë që e bën Kosovën dhe integritetin e saj territorial shumë të brishtë dhe mundëson autonomi brenda autonomisë; bëhet pamundësimi i mëvetësisë ekonomike të Kosovës, resurseve të saj e i kontrollit të kufijve dhe qarkullimit të mallrave; bëhet pamundësimi i së drejtës së Kuvendit të Kosovës për ndryshime kushtetuese; që prej atëherë çdo dokument në Kosovë bëhet në bazë të marrëveshjes së Rambujesë ose ndonjë dokumenti tjetër që i referohet marrëveshjes së Rambujesë. E gjithë kjo batërdi juridike e politike u hesht atëbotë duke u mbuluar me gënjeshtrën për referendumin pas tri vjetëve; për referendumin që po na mohohet edhe pas tetë vjetëve!
.
Negociatorët kosovar rregullisht e kanë gënjyer popullin. Pse do të ishte ndryshe tash? Pse do të jetë ndryshe në të ardhmen? Sa më shumë që gënjejnë, aq më tepër zvogëlohen gjasat që të mos gënjejnë edhe herën e ardhshme. Induksioni e thotë këtë. Induksioni s’ka nevojë për përvojën; por, anasjelltas vlen. Të besosh se do të jetë ndryshe kësaj radhe me këta negociatorët kosovar, kjo s’ka kurrfarë shpjegimi racional. Për më keq, gënjeshtra e këtyre politikanëve është e skajshme. Kur ata thonë që s’do të negociojnë për këtë e për atë gjë, kjo do të thotë saktësisht e kundërta: se do ta bëjnë pikërisht atë që thonë se nuk do ta bëjnë (pasi që UNMIK-u të bëjë pak trysni mbi ta, natyrisht). Ndonëse gënjeshtra e tyre është aq e veçantë në kuptimin që është aq larg së vërtetës, megjithëkëtë, ajo na e tregon të vërtetën si asnjë gënjeshtër tjetër. Duke qenë vetë e kundërta e së vërtetës ajo na ndihmon aq shumë, në mos plotësisht, që ta zbulojmë të vërtetën.
.
Por, le t’i kthehemi edhe njëherë Rambujesë, ku Kosova u la juridikisht nën Jugosllavi dhe Serbi, duke u pranuar edhe çarmatosja e UÇK-së. I pari që e pat nënshkruar dokumentin e Rambujesë atëbotë ishte Veton Surroi. Krejt njësoj, ky sërish prin me ecjen e tij drejt negociatave shtesë e marrëveshjeve të reja. Duke konsideruar se banorët e qyteteve tashmë janë bindur, në shënjestër të tij janë fshatrat. Fundja, në negociata shkohet për marrëveshje e jo për mosmarrëveshje. Veton Surroi është njeri i marrëveshjeve. Kjo marrëveshje e re me Serbinë do të ndodhet ndërmjet Pakos së Ahtisaarit dhe qëndrimit të Serbisë e që sërish i bie të jetë qëndrim i Serbisë, meqë gjithnjë brenda suazave të formulës së saj të kahmotshme për ‘më shumë se autonomi, më pak se pavarësi’. Më shumë se autonomi e më pak se pavarësi është veçse autonomi. Serbia pa dyshim që ia ofron autonominë (që e kishte) Kosovës vetëm dhe vetëm që t’ia marrë atë pastaj mu sikurse bëri në vitin 1989.
.

3 comments:

Albiqete said...

GREAT WEBSITE
CHECK OUT MY
http://albiqete.blogspot.com/

Albiqete said...

I WILL VISIT LATER TO LEAVE MEANINGFUL COMMENTS

Anonymous said...

These are practical applications that can be set parallel with the sociopolitical conditions presented in Malesia??