Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ish-lideri i dhjetorit, profesor në Nju York University Shenasi Rama ka analizuar programin e PS të prezantuar nga kryemininistri Rama.
Zoti Rama (Çfare koinçidence!). Zoti Shenasi Rama, besoj se ju ka interesuar të hulumtoni programin e PS për qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme. Çfarë ndjesish ju la?
Kaq jemi ne shqiptarët, dhe emrat tanë këta janë. Si thotë diku Shekspiri, nuk kanë rëndësi emrat, ka rëndësi njeriu. Si njerëz, kemi qënë dikur miq, kam pasur shumë respekt për të, dhe mbesim me konsideratë si individe, por jemi krejt të ndryshëm e me bindje të kundërta politike. E mora Programin e Qeverisë dhe e lexova me shumë vëmendje. Në përgjithësi, do të vija në dukje shumë gjëra, por do të ndalem tek më kryesoret. Së pari, ky program është një përpjekje e qartë për të ruajtur fytyrën dhe premtimet e bëra gjatë fushatës.
Mirëpo, shihet një përpjekje e qartë për të lëvizur drejt problematikës reale që kërkon masa të tilla që nuk u përmendën në fushatë. Së dyti do të thoja se është një program shumë ideologjik. Mirëpo, ideologjia që është bazë e këtij programi është tejet eklektike, sepse aty gjen koncepte që nuk bashkëjetojnë lehtë bashkë si tregu dhe solidariteti. Së treti, do thoja se është një program tejet optimist në premtime dhe njëkohësisht i kursyer në burime. Nga do të dalin paratë? Pra, i parealizueshëm sepse kjo qeveri nuk do të taksojë milionerët për të sjellë zhvillimin. Së katërti, programi është një lojë ideologjike e qartë e një mashtrim i hapur me shqiptarët sepse vazhdohet sharada e pamundshme e agjendës së integrimit europian, nuk adresohen si duhet problemet e vërteta e reale me te cilat përballemi ne. Së pesti, një program i tillë tregon cektësinë ideologjike të hartuesve dhe të qeveritarëve të ardhshëm. Këta duket se duan pushtet e jo shtet. Për shembull në këtë program nuk përmendet sovraniteti, atributi themelor dhe unik i shtetit.
Emigrantët përmenden një herë, në faqen 56. Po bashkëpunimi ndërshqiptar? E kështu me radhë. Problemet, sipas meje janë të shumta jo vetëm në nivelin e në mënyrën e konceptimit të gjendjes, por dhe në zbatimin e asaj që premtohet. Sipas mendimit tim, ky program, edhe kështu i parealizueshëm, mbetet një mbulojë për agjenda të tjera. Fjalë të kodifikuara si reformim, në shqip përkthehen si heqje nga punë e kundërshtarëve, dhënie rroge e mbështetësve etj. Por nuk ka dyshim që gjendja është tejet e rëndë dhe në program ndjehet vetëdija se do të jetë një qeverisje shumë e vështirë.
Ju njiheni tashmë si kritik i rreptë, por kush do të ishin sugjerimet tuaja në situatën ku ndodhet Shqipëria, çfarë duhet të bëjë më mirë, dhe çfarë duhet të bëjë nga e para qeveria e re?
Qeveria duhet t’iu thojë shqiptarëve ku gjendemi. Duhet t’iu thotë se edhe këta që janë në qeveri kanë vjedhur, grabitur, uzurpuar, toleruar e zhvatur njëlloj si të tjerët. Duhet t’iu thuhet se integrimi europian as nuk ka me ndodhë, as nuk na duhet. Qeveria duhet t’iu thotë se duhet të shtërngojmë rripin dhe të taksojmë me drejtësi e ndershmëri. Qeveria duhet t’iu thotë se duhet të ndërtojmë shtetin dhe administratën civile që të funksionojnë jashtë influencave partiake. Se duhet të drejtohemi me parësi nga bashkëpunimi ndërshqiptar si mundësi e ndërtimit të tregjeve, të sigurisë, të shfrytëzimit racional të burimeve dhe të forcimit të vetëdijes politike e të mbështetjes politike. Qeveria duhet t’iu thotë shqiptarëve se nuk kemi ushtri, se jemi një vend i kriminalizuar, me shoqëri të polarizuar, me një oligarki kriminale që kanë bërë miliarda dhe me shqiptarë që vrasin veten dhe me një gjendje zvetënimi moral që të bën më pasë frikë. Qeveria duhet të nisë një debat të madh shoqëror lidhur me ndasitë, me humbjen e sovranitetit, të territorit, të faljes së burimeve natyrore e të pasurive kombëtare, të shpërdorimit të pasurisë, të shmangjes nga rruga e krimit dhe e hajnisë, e trafiqeve dhe e ndërtimeve pa leje.
Shqiptarët duan një qeveri që të thotë të drejtën dhe të mos ketë frikë se nuk do të zgjidhet më në pushtet. Kjo është edhe detyra kryesore e shërbyesit publik. Shihe në sy popullin tënd e thuaji të vërtetën. Po si mund t’ua thuash të vërettën kur ua ke blerë votën tek qendra e votimit me një zarf me 50000 lekë të vjetra e me një thes mielli e një bidon vaji???
A keni vërejtur risi në programin e paraqitur nga Rama dhe kush janë ato?
Risitë janë në shprehjet e në konceptet e përdorura dhe në adresimin e disa çështjeve që janë tejet shqetësuese. Koncepti i gjeneratës tjetër është interesant. Mirëpo nuk duket se këta janë të ndryshëm në mendime nga paraardhësit.
Eshtë një numër i madh shqiptarësh që i kanë besuar Ramës t’i qeverisë. Ky program sipas jush i përgjigjet besimit 1 milionësh?
Qeveria nuk është e mbështetësve, ajo është e gjithë popullit dhe në një shtet kaq të ndarë si shteti shqiptar, qeveria duhet të jetë e të gjithë popullit, ndryshe ke dështuar pa filluar. Tash në lidhje me këtë shifrën “1 milion” që përmende, në program ka vetëm një shifër të tillë.
Ajo nuk është shifra e mbështetësve por e të papunëve. Qeveria Rama ka premtuar 300000 vende pune të reja. Po ata 700000 të papunë që nuk do të gjejnë punë gjatë kësaj qeverisje? Çfarë do të bëhet me ta? Po ashtu, shihet se në program ka shumë pika në të cilat shteti do të adresojë problemet e grupeve që mbështetën fort PS dhe LSI, siç është bie fjala, kujdesi për ushtarakët e liruar.
Besoj se këta nuk do ta ndajnë tortën me legena, por urtë e butë do të gjejnë mënyrat që ti shpërblejnë mbështetësit simbas shërbimeve dhe shkallës në hierarki. Do të ketë punësim masiv nga LSI, por liçenca, koncesione, subvencione, partneritete, lehtësime nga taksat etj. që do të garantojnë ruajtjen e mbështetjes.
Nëse nuk do të qëndrojmë vetëm në anën e kritikës, çfarë ju kënaqi më shumë gjatë leximit të faqeve të programit? Besoni ju në nisjen e një ere të re, në qeverisjen shqiptare?
Jo, jo çfarë risie! Iku Ilir Meta dhe erdhi dyfish më i fuqishëm dhe pala tjetër ka mësuar dhe po e kopjon simbas parimit, të gjithë si Ilir Meta, pesë vota për një vend pune. Këta e kanë mendjen me vjedhë njëlloj si të tjerët. Kur e blen votën e popullit, e korrupton që në kutinë e votimit, nuk ka asnjë lloj shprese se do të qeverisësh me drejtësi.
Njerëzit të shohin në sy dhe në vend të mjekrës tënde shohin mjekrën e Ismail Qemalit, të Fan Nolit e të Naim Frashërit që i kemi në kartmonedhat tona. Po nga ana estetike, duket bukur. Shpresa e vetme që ka, është se këta e dinë mirë se çka është shteti. Të mbarë a të mbrapshtë, le të mundohen të vënë ligjin e të bëjnë një shtet. Sepse një shtet, edhe kur është i hajnave dhe i parisë, ka ligje që e shtërngojnë edhe vetë parinë. Këta kanë qënë të gjithë pjesë e shtetit kur kishim shtet, tani të shohim a do të pranojnë shtërngesat që duhet t’ia vënë vetes, për të mirën tonë, por edhe të tyren se ndryshe nuk i dihet. Në shtetin shqiptar, asgjë nuk është e sigurtë, as jeta, as pasuria, as nderi, as mendja e kokës. Shteti kombëtar dhe ndërtimi i tij ky duhet të jetë objektivi kardinal, aftarshkurtër dhe afatgjatë, po që unë nuk e shoh qartë në këtë program bile nuk e shoh kund.