Friday, September 22, 2006


The Albanian-American Association “Malësia e Madhe”

Washingtoni Reagon ndaj Trajtimit të Shqiptarëve në Mal të Zi

WASHINGTON, DC, 18 Shtator, 2006 – Si rezultat i takmit të 9 Qershorit, 2006 ndërmjet Shoqatës Shqiptaro – Amerikane “Malësia e Madhe”, Iniciativës Qytetare dhe Kongresit të Shteteve të bashkuara, Senatori Carl Levin (D-MI) dhe Kongresisti Sander Levin (D-MI) sot së bashku dorëzuan një peticion formal pranë Sekretares së Shtetit Condoleezza Rice në lidhje me trajtimin e Shqiptarëve etnik në Mal të Zi. Së bashku me peticionin, anëtarët e Kongresit bashkangjitën edhe letrën e nënshkruar nga delegacioni Shqiptarë e cila i ishte dorëzuar më heret Charles English nga Departamenti i Shtetit e cila nenvizonte keqtrajtimet të cilave u nënshtrohen Shqiptarët në Mal të Zi.

Peticioni i dorëzuar kërkon nga Sekretarja e Shtetit që personalisht të angazhohet në shqyrtimin e situatës në Mal të Zi para vendosjes së marrëdhënjeve diplomatike. Theks i veçantë i kushtohet përfaqësimit tepër të ulët në punësim/burime dhe krijimin e aprovimin e “statusit të komunës së plotë të regjionit të Tuzit”. Implikimi për formimin e komunës së plotë të Tuzit në asnjë mënyrë nuk nënkupton që komuna urbane plotëson këtë qëllim. Për këtë arsye, veprimet e Shoqatës Shqiptaro – Amerikane “Malësia e Madhe” nuk do të ndalen përderisa e drejta për komunë të plotë dhe të pavarur të Malësisë/Tuzit të mos legalizohet dhe qytetarëve të Malësisë t’u sigurohen të drejtat e plota politike, ekonomike, sociale, dhe mbrojtje qytetare sipas ligjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e minoriteteve dhe tokave të tyre.

Këto kërkesa janë të justifikuara më shumë se kurrë veçanarisht duke marrë parasysh brutalitetin shtetëror ndaj qytetarëve të Malësisë kohët e fundit. Rritja paqësore e unitetit Shqiptarë për të drejta më të mëdha dhe përfaqësim denjësor para zgjedhjeve të 10 Shtatorit kan rrezikuar kontrollin e Podgoricës ndaj minoriteteve, dhe si rezultat, ekspeditat e policisë shtetërore kan kërcënuar, burgosë e keqtrajtuar Shqiptarët lokal për të zbehë aspiratat e tyre për zgjedhje korrekte dhe të lira, përfaqësim, si dhe të drejta elementare njerëzore. U bëjmë thirrje të gjitha agjensive Europiane për monitorimin e të drejtave të njeriut që të vazhdojnë shembullin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe të kërkojnë që shqiptarëve në Mal të Zi t’u sigurohet e drejta e barabartë para ligjeve që dalin nga Karta e Kombeve të Bashkuara si dhe ligjeve të tjera nga doktrina e ligjeve ndërkombëtare.